Shko në krye

Çfarë është ndërmjetësimi?

  • Ndërmjetësimi është një proces jashtëgjyqësor ku një palë e tretë neutrale (ndërmjetësi) mbështet palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për mosmarrëveshjen e tyre, brenda kuadrit ligjor.
  • Ndërmjetësi është një person i specializuar, i licensuar dhe i trajnuar i cili lehtëson komunikimin midis palëve në mosmarrëveshje dhe i ndihmon ata të kuptojnë më mirë konfliktin e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje që i përgjigjet nevojave të të gjitha palëve dhe që miratohet bashkarisht nga ato.

Parimet themelore të ndërmjetësimit

  • Vullnetarizmi. Ndërmjetësimi është një proces i lirë, ku palët vendosin të marrin pjesë me vullnetin e tyre të lirë dhe mund të largohen nga procesi në çdo kohë kur ata e konsiderojnë të përshtatshme.
  • Paanshmëria dhe Neutraliteti. Një ndërmjetës nuk ka preferencë apo anëshmëri për asnjë palë dhe nuk ka interesa personale në mosmarrëveshjen që ndërmjetëson.
  • Drejtësia dhe Integriteti. Ndërmjetësi duhet respektojë një kod etike dhe duhet të jetë transparent në marrëdhënien e tij me palët si dhe t’i trajtojë ata me respekt dhe me barazi gjykimi.
  • Barazia e palëve. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, palët hyjnë në ndërmjetësim si të barabartë në të drejta dhe dinjitet dhe asnjë palë nuk lejohet t’i imponojë vullnetin tjetrit.
  • Konfidencialiteti. Gjithçka që thuhet apo shkruhet gjatë procesit të ndërmjetësimit nuk mund të përdoret në procedurat gjyqësore të mëvonshme.
  • Privatësia. Dialogu midis palëve zhvillohet në një mjedis privat, pa praninë e palëve të treta, me një marrëveshje të dyanshme për të mos e nxjerrë informacionin e mësuar gjatë procesit të ndërmjetësimit.

Kur mund të përdoret ndërmjetësimi?

Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën:

  •  Civile
  •  Tregtare
  •  Të punës dhe familjare
  •  Pronësisë intelektuale
  •  Të drejtave të konsumatorëve
  • Mosmarrëveshje midis organeve të administratës publike dhe subjekteve private
  •  Drejtësisë për të mitur

Në çështjet penale aplikohet neni 59 dhe 284 i Kodit të Procedurës Penale.

Çfarë vlere ka marrëveshja?

Marrëveshja e nënshkruar nga palët dhe ndërmjetësit, me kusht që të jetë në përputhje dhe në respektim të ligjit, kthehet në një titull ekzekutiv.

Përfitimet e ndërmjetësimit

Përse të zgjidhni ndërmjetësimin?

  • Ështe më i shpejtë dhe me kosto më të lirë se të shkosh në gjyq.
  • Marrëveshja e nënshkruar nga palët dhe ndërmjetësi është titull ekzekutiv.
  • Vendimet merren nga vetë palët, duke siguruar një marrëveshje të pranueshme nga ana e tyre.
  • Ndërmjetësimi është fleksibël, ju mund ta filloni atë para një procesi gjyqësor, ose në çdo faze të tij.
  • Gjatë ndërmjetësimit mund të gjenden zgjidhje kreative që mund t’ju përshtaten më mirë.
  •  Kushtet e zgjidhjes janë private dhe konfidenciale.
  • Ndihmon palët të përmirësojnë komunikimin dhe u jep mundësi atyre të gjejnë mënyra më të mira për ta trajtuar konfliktin.
  • Zgjidhja e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim ndihmon në ruajtjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis palëve.
  • Në ndërmjetësim ka hapësirë për të trajtuar ndjenjat, sikletet dhe shqetësimet që shkakton konflikti. Njerëzit janë të rëndësishëm në ndërmjetësim.